1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mandela në gjendje kritike shëndetësore

(afp, dpa, rtr) / Esat Ahmeti24 Qershor 2013

Tani situata nuk është më "serioze", por "kritike". Nelson Mandela është në rrezik për jetë. Heroi Kombëtar i Afrikës së Jugut është duke u trajtuar në një spital në Pretoria.

https://p.dw.com/p/18v02
Fotografi: picture-alliance/dpa

Mandela ka mbi 24 orë që është në gjendje kritike për jetën, njoftoi presidenca e Afrikës së Jugut të dielën në mbrëmje. Presidenti Jacob Zuma, nënkryetari i Kongresit Kombëtar Afrikan në pushtet (ANC), Cyril Ramaphosa dhe gruaja e Mandelës, Graça Machel janë takuar në spital dhe kanë biseduar në lidhje me situatën. "Mjekët po japin maksimumin e tyre për të bërë që gjendja e tij të përmirësohet dhe po përpiqen që ai të trajtohet mirë", ka njoftuar Zuma. "Ai ndodhet në duar të mira."

Javën e kaluar Zuma dhe anëtarët e familjes kishin raportuar për një përmirësim të gjendjes të 94 vjeçarit. Mandela i cili njihet në Afrikën e Jugut edhe me emrin e tij tradicional "Madiba", është dërguar të shtunën para dy javësh me një pneumoni të rëndë në një spital në Pretoria. Ai në muajt e fundit i është nënshtruar kontrollove të përsëritura mjekësore.

Për shkak të luftës së tij kundër sistemit të aparteidit racist nobelisti i Paqës ka qëndruar për 27 vjet në burg. Ai u sëmurë atje nga tuberkulozi - fillimi i problemeve të tij të vazhdueshme të mushkërive.

Pas lirimit të tij nga burgu, “Martin Luteri Afrikan” vazhdoi luftën kundër diskriminimit racist. Në prill 1994, u mbajtën zgjedhjet e para të lira. Më 10 Maj Mandela u bë Presidenti i parë zezak i Afrikës së Jugut. Ai më pas përqëndroi vëmendjen tek pajtimi. Në vitin 1996 ai ngriti Komisionin Afrikano Jugor të së Vërtetës dhe Pajtimit (TRC) për të trajtuar krimet që ishin kryer gjatë aparteidit. Në vitin1993, Mandela dhe paraardhësi ti tij, Frederik William de Klerk, morën çmimin Nobel për Paqe.