1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Blinken: Dialogu, shtegu i vetëm mes Kosovës dhe Serbisë

15 Shkurt 2024

Nënshkruhen dy memorandume bashkëpunimi SHBA-Shqipëri në kuadrin e vizitës së sekretarit të Shtetit Antony Blinken në Tiranë.

https://p.dw.com/p/4cSJW
Sekretari i Shtetit, Antony Blinken duke përshëndetur nga avioni pas mbërritjes në Tiranë
Sekretari i Shtetit, Antony BlinkenFotografi: Florion Goga/REUTERS

Sekretari i Shtetit i SHBA, Antony Blinken, theksoi gjatë vizitës një ditore në Tiranë partneritetin e ngushtë mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në çështje të rëndësishme si siguria, reforma në drejtësi dhe integrimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian.

Gjatë konferencës për mediat, kryediplomati i SHBA-së Antony Blinken kërkoi nga drejtuesit politikë në Kosovë dhe Serbi për të ulur tensionet mes tyre duke zgjedhur dialogun si rrugën e vetme për të arritur paqe dhe stabilitet në rajon. ‘'Dialogu i lehtësuar nga BE-ja është i duhuri dhe madje është shtegu i vetëm i duhur. Ne jemi të angazhuar të bëjmë gjithçka që duhet për t'i mbështetur të dyja vendet'' – u shpreh kryediplomati amerikan. Nga ana tjetër Blinken përgëzoi rolin e Shqipërisë si ‘'një forcë për stabilitet rajonal, për integrim rajonal dhe progres rajonal, që i sjell të gjithë drejt një të ardhmeje më të mirë''. Përkah Sekretarit amerikan, edhe kryeministri shqiptar Edi Ramakërkoi gjithashtu nga politika e Kosovës që të mos ndërmarrë asnjë veprim pa u konsultuar dhe koordinuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke i vlerësuar ato si aleatët e tyre strategjikë. ‘'Nga veprimet që nuk konsultohen dhe koordinohen mund të fitohen disa vota, por duke e kthyer politikën e jashtme në instrument të politikës së brendshme, nuk fitohet e ardhmja”, u shpreh kryeministri shqiptar. Rama theksoi se "shqiptarët kudo që janë, duke nisur nga ata në Kosovë, të mos harrojnë asnjëherë se pa SHBA-në s'do të kishte shtet të pavarur të Kosovës”.

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë Igli Hasani duke shtrënguar duart në aeroportin e Rinasit me homologun nga SHBA-ja Antony Blinken
Ministri i Jashtëm i Shqipërisë Igli Hasani duke i uruar mirëseardhjen në aeroportin e Rinasit homologut nga SHBA-ja Antony BlinkenFotografi: Armando Babani/REUTERS

Dy memorandume bashkëpunimi SHBA-Shqipëri

Sekretari amerikan i Shtetit dhe ministri shqiptar për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, firmosën të enjten (15.02.2024) dy marrëveshje të rëndësishme bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe SHBA-së. Pak para nisjes së konferencës për mediat u firmos "Memorandumi i mirëkuptimit Shqipëri-Shtetet e Bashkuara të Amerikës kundër manipulimit të informacionit të shtetit të huaj”. ‘'Ky memorandum do të ndihmojë SHBA dhe Shqipërinë që të mund të zhvillojnë një qasje të përbashkët për të luftuar shtrembërimet dhe gënjeshtrat e rrezikshme'' – u shpreh kryediplomati amerikan duke theksuar më tej se ‘'demokracitë duhet të kenë mjetet e nevojshme për të vepruar në mënyrë efektive''. Po ashtu u nënshkrua edhe Memorandumi i mirëkuptimit, ndërmjet qeverisë së Republikës së Shqipërisë (Këshilli i Ministrave) dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për programin e shkëmbimit akademik "Fulbright”. Kryeministri i Shqipërisë, Rama tha, se në takim janë diskutuar jo vetëm bashkëpunimet në fushën e sigurisë, por edhe mundësitë për investime amerikane në Shqipëri. Ndërsa sekretari Blinken theksoi mbështetjen e SHBA-së në forcimin e sistemit shqiptar të drejtësisë.

Sekretari amerikan takim me presidentin Begaj

Sekretari amerikan i Shetit u prit gjatë vizitës së tij në Tiranë edhe nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj. Takimi që u mbajt pa praninë e medias zgjati rreth 30 minuta. Vizitën e kryediplomatit amerikan, Begaj e cilësoi ‘'një demostrim, se partneriteti strategjik mes dy vendeve është më i fortë se kurrë.”

Presidenti theksoi se Shqipëria dhe SHBA kanë qenë së bashku në mbështetje të Ukrainës si aleatë në NATO duke kontribuar në misione në Afganistan dhe Irak. Kjo ishte vizita e parë e Antony Blinken në Shqipëri dhe e gjashta e një sekretari Shtetit të SHBA-së në Shqipëri, që e vizitoi në vitin 1991 James Baker, pasuar nga Madeleine Albright në vitin 2000, Colin Powell në vitin 2003, Hillary Clinton në vitin 2012 dhe John Kerry në vitin 2016.

 

Rashela Shehu korrespondente nga Tirana